17/06/2026
Universiteti i Elbasanit dhe Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT), Prishtinë, Kosovë, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon zgjerimin e partneritetit ndërinstitucional dhe zhvillimin e nismave të përbashkëta në fushën akademike, shkencore dhe profesionale.
Një nga rezultatet e para konkrete të këtij bashkëpunimi do të jetë organizimi i edicionit të parë të Shkollës Verore për Mësuesit e Diasporës, një nismë e përbashkët me moton “Mëso Shqipen – Njih Kulturën, përmes së Ardhmes Digjitale”. Kjo shkollë verore synon të mbështesë mësuesit që kontribuojnë në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe dhe identitetit kulturor shqiptar në diasporë, duke ofruar një hapësirë për zhvillim profesional, shkëmbim përvojash dhe njohje me qasje bashkëkohore të mësimdhënies në epokën digjitale.
Marrëveshja parashikon bashkëpunim në kërkimin shkencor, organizimin e konferencave, akademive, shkollave verore dhe aktiviteteve të tjera që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë, si dhe në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet dy institucioneve.
Përmes këtij bashkëpunimi, Universiteti i Elbasanit riafirmon angazhimin e tij për të forcuar lidhjet me institucionet partnere në hapësirën shqiptare dhe për të kontribuar në ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare kudo ku jetojnë shqiptarët.
12/06/2026
Departamenti i Letërsisë dhe Gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Humane organizoi për dy ditë radhazi workshopin me temë “Teknikat e lexim-shkrimit”, me pjesëmarrjen e maturantëve dhe nxënësve të arsimit të mesëm të lartë të qytetit të Elbasanit.
Ky aktivitet u konceptua për t’u ardhur në ndihmë të rinjve që ndodhen në prag të një tranzicioni të rëndësishëm drejt arsimit të lartë, ku kërkesat për lexim kritik, analizë dhe shkrim akademik bëhen gjithnjë e më të larta. Gjatë workshopit, pjesëmarrësit u njohën me teknika dhe strategji konkrete që i ndihmojnë të lexojnë në mënyrë aktive, të kuptojnë më thellë tekstet dhe të ndërtojnë shkrime të qarta, të argumentuara dhe të strukturuara.
Në një kohë kur informacioni konsumohet me ritme të shpejta, aktiviteti synoi gjithashtu të nxisë rikthimin e vëmendjes te leximi i përqendruar, reflektues dhe kritik, si një aftësi thelbësore për suksesin akademik dhe zhvillimin personal.
Ky workshop është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Universitetit të Elbasanit për të forcuar bashkëpunimin me institucionet e arsimit parauniversitar. Përmes trajnimeve, aktiviteteve edukative dhe vënies në dispozicion të laboratorëve dhe infrastrukturës universitare, universiteti kontribuon në përgatitjen akademike dhe profesionale të maturantëve, duke i mbështetur ata në rrugëtimin e tyre drejt arsimit të lartë.
11/06/2026
Në Fakultetin e Biznesit dhe të Drejtësisë të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, në datat 02–04 Qershor 2026, u zhvillua trajnimi treditor me temë: “Menaxhimi i projekteve të qëndrueshme: Integrimi i kompetencave digjitale dhe mjedisore”, në kuadër të projektit Erasmus-LS të financuar nga Bashkimi Europian, me titull SuProM Project – “Sustainable project management in Balkan HEIs” (Menaxhimi i qëndrueshëm i projekteve në IAL-të e Ballkanit).
Ky trajnim kishte si synim aftësimin e studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë nga bizneset, institucionet publike lokale dhe stafi i UNIEL-it në përgatitjen e projekteve që integrojnë kompetencat digjitale me qëndrueshmërinë dhe mjedisin, si dhe pajisjen e tyre me aftësi bazë në lidhje me menaxhimin e projekteve.
Programi i trajnimit u konceptua si një ndërthurje mjaft efektive e kontributit teorik me atë praktik. Përgjatë këtyre ditëve, lektorët e ftuar, Dr. Esmeralda Yryku, Drejtuese e kompanisë "EUROSTEEL" sh.p.k., Z. Ertjan Çabiri, Drejtues i kompanisë "DELMON GROUP ALBANIA" dhe Znj. Kristina Kreka, Drejtore e Drejtorisë së Integrimit Europian, Projekteve dhe Donatorëve në Bashkinë Elbasan, ndanë me studentët përvojat e tyre drejtuese dhe trajtuan raste konkrete nga industria në realizimin e projekteve të qëndrueshme dhe të gjelbra.
Në kuadër të këtij trajnimi, studentët zhvilluan edhe një vizitë studimore në ambientet e kompanisë "EUROSTEEL", ku u njohën nga afër me punën për realizimin e projekteve konkrete. Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe workshop-it praktik, ku studentët punuan në grupe për të jetësuar njohuritë e marra. Ata konkurruan me projekt-propozime inovative, të cilat u vlerësuan në fund nga një juri profesioniste e ngritur posaçërisht për këtë aktivitet.
09/06/2026
Studentë të Universitetit të Elbasanit pjesë e Digi Camp & Digital Skills Festival 2026 në Prizren
Gjashtë studentë të programit të studimit Informatikë-Ekonomike të Fakultetit të Biznesit dhe i Drejtësisë në Universitetin e Elbasanit, të shoqëruar nga pedagogu Dr. Erind Bedalli, morën pjesë në aktivitetin ndërkombëtar Digi Camp & Digital Skills Festival 2026, i zhvilluar në Innovation and Training Park (ITP) Prizren. Gjatë tri ditëve të festivalit, studentët u përfshinë në një sërë aktivitetesh inovative, duke përfshirë JunctionX Regional Hackathon, Next Quest Game Jam, punëtori interaktive, sesione trajnimi, aktivitete rrjetëzimi dhe prezantime projektesh.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të zhvillojnë aftësitë e tyre në fushën e teknologjisë, inovacionit, sipërmarrjes dhe transformimit dixhital, si dhe të bashkëpunojnë me studentë, mentorë, ekspertë dhe përfaqësues institucionesh nga Kosova dhe rajoni. Nën moton “Learn. Build. Grow.”, festivali krijoi një mjedis frymëzues për shkëmbimin e ideve, zhvillimin e projekteve inovative dhe krijimin e lidhjeve të reja profesionale, duke kontribuar në përgatitjen e të rinjve për sfidat e ekonomisë dhe shoqërisë dixhitale.
Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” mbështet dhe inkurajon vazhdimisht pjesëmarrjen e studentëve në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare që promovojnë inovacionin, teknologjinë dhe zhvillimin profesional.
08/06/2026
Universiteti i Elbasanit pjesë e takimit të 5-të të projektit LAIA në Prizren
Në Universiteti "Ukshin Hoti" Prizren u zhvillua takimi i 5-të i projektit LAIA (Laboratory on Artificial Intelligence in Albania and Kosovo), i cili mblodhi së bashku përfaqësues të universiteteve partnere për të diskutuar ecurinë e projektit dhe hapat e ardhshëm për zbatimin e aktiviteteve të planifikuara.
Në këtë takim morën pjesë koordinatorët e projektit nga University of Piraeus, si dhe partnerët nga University of Southern Denmark, Universiteti i Elbasanit, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Përfaqësuesit e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” morën pjesë aktivisht në diskutimet e zhvilluara gjatë takimit, duke kontribuar në vlerësimin e progresit të projektit, shkëmbimin e përvojave ndërmjet partnerëve dhe planifikimin e aktiviteteve të ardhshme.
Gjatë punimeve u trajtuan gjithashtu aktivitetet e lidhura me Hackathon-in për Inteligjencë Artificiale në kuadër të ITP-së, ku universitetet partnere të projektit LAIA janë të angazhuara në organizim dhe mbështetje, ndërsa studentë nga institucionet partnere marrin pjesë aktivisht në këtë nismë.
05/06/2026
Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” hap zyrtarisht aplikimet për Shkollën Verore Ndërkombëtare të Studimeve Mesdhetare, një nismë akademike që do ta kthejë Elbasanin në një pikëtakim të ideve, kulturave dhe perspektivave nga e gjithë hapësira mesdhetare.
Organizuar nga Universiteti I Elbasanit në bashkëpunim me Qendrën për Kërkime të Avancuara në Shkup (Maqedonia e Veriut), me mbështetjen e Universitetit Adnan Menderes të Ajdinit (Turqi) dhe Bashkisë së Elbasanit, EISMS 2026 synon të mbledhë student të nivelit master dhe doktoraturë, studiues, akademikë dhe profesionistë të rinj nga vende dhe fusha të ndryshme studimi.
Përmes ligjëratave, diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave, pjesëmarrësit do të eksplorojnë Mesdheun jo vetëm si një hapësirë gjeografike, por si një mozaik të gjallë të diversitetit gjuhësor, ndërveprimit kulturor, transformimeve politike dhe zhvillimeve gjeostrategjike që formësojnë të tashmen dhe të ardhmen e rajonit.
Për t’u regjistruar klikoni linkun në bio.
https://uniel.edu.al/images/studio_ne_ue/fakulteti_i_shkencave_humane/njoftime/CALL_for_participants_-_EISMS_2026.pdf
05/06/2026
Zyra e Këshillimit të Karrierës në Universitetin e Elbasanit zhvilloi një takim informues me përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe 20 studentë nga programe të ndryshme studimi. Qëllimi i këtij bashkëpunimi ndërmjet KQZ-së dhe institucioneve të arsimit të lartë është përfshirja e studentëve në procesin zgjedhor, duke u ofruar atyre mundësinë të angazhohen si komisionerë të administratës zgjedhore.
Pas këtij takimi të parë informues, studentët do të vijojnë me sesione trajnuese të zhvilluara nga ekspertë të legjislacionit zgjedhor pranë KQZ-së, me synimin për t’i përgatitur ata për rolin e tyre në administrimin e proceseve zgjedhore. Përfshirja e studentëve në këto procese kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e kulturës demokratike dhe në edukimin e një brezi të ri qytetarësh aktivë, të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm.
03/06/2026
Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Ballkanologjike në Universitetin e Elbasanit, në kuadër të përmbylljes së projektit kërkimor “Qasja multiperspektive ndaj fenomenit të migracionit në Shqipëri (2024–2025)”, të financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), organizoi një tryezë konsultative me grupet e interesit, me qëllim prezantimin e rezultateve dhe rekomandimeve të projektit.
Gjatë zbatimit të projektit, janë angazhuar si bashkëpunëtorë një sërë institucionesh dhe aktorësh lokalë e akademikë, përfshirë DRAP Korçë, DRAP Lezhë, Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar përkatëse, Zyra e Punës Elbasan, Bashkinë Elbasan (zyra e emigracionit), punonjës socialë pranë shkollave, si dhe personel akademik dhe studentë të Universitetit të Elbasanit.
Si produkt përmbyllës i këtij projekti kërkimor u hartua “Udhëzuesi Didaktik për Mësuesit”, i cili synon të mbështesë procesin mësimor-edukativ dhe të ofrojë orientime praktike për punën e mësuesve në trajtimin e fenomenit të migracionit.
02/06/2026
Mësimdhënie që ruan identitetin dhe sjell inovacionin në praktikë.
🇦🇱🇽🇰
Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” në bashkëpunim me Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT), Prishtinë, Kosovë, organizon shkollën verore për mësuesit e diasporës “Kultura shqipe dhe teknologjia bashkëkohore në mësimdhënie”, një hapësirë zhvillimi dhe frymëzimi për mësimdhënësit, me fokus në gjuhën dhe kulturën shqiptare, si dhe integrimin e teknologjisë në edukim.
Kjo shkollë verore synon të shërbejë si një urë lidhëse jetike për ruajtjen, kultivimin dhe trashëgimin e gjuhës amtare te brezat e rinj. Përmes fuqizimit të mësuesve me mjete digjitale, programi synon të kapërcejë distancat gjeografike, duke e bërë mësimin e gjuhës dhe historisë shqipe tërheqës, interaktiv dhe lehtësisht të qasshëm për fëmijët që rriten jashtë vendit, me qëllim forcimin e lidhjes së tyre me rrënjët dhe atdheun.
Nga metodologjitë moderne te klasat virtuale dhe materialet interaktive, së bashku për një arsim më bashkëkohor dhe më cilësor.
Regjistrohuni: https://forms.cloud.microsoft/e/cDSxKDkrfJ
02/06/2026
Në kuadër të bashkëpunimit disavjeçar mes Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, u zhvillua një vizitë studimore në Muzeun Bunk’Art 1 në Tiranë, ku morën pjesë Ambasadori i OSBE-së, z. Michel Tarran, së bashku me studentë të universitetit.
Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të iniciativave të OSCE Presence in Albania për të mbështetur çështjet e drejtësisë tranzitore në Shqipëri, me fokus të veçantë tek të rinjtë. Aktiviteti synoi informimin e brezave të rinj mbi të kaluarën komuniste, shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë atij sistemi, si dhe nxitjen e reflektimit mbi rëndësinë e demokracisë dhe mësimeve për të ardhmen.