Mësuesit kosovarë

Mësuesit kosovarë

Share

Platformë që u kushtohet mësuesve dhe arsimit në Kosovë. Lajme • Njoftime • Biografi • Nderime • Kujtime • Opinione • Materiale

22/06/2026

📌 Njoftim me rëndësi!

Të gjithë mësimdhënësit e nivelit fillor dhe të mesëm të ulët që punojnë ose do të punojnë me botimet e Albas-it, lusim të na kontaktojnë në e-mailin e mëposhtëm për sigurimin e materialeve bazë dhe ndihmëse, në formë fizike dhe online.
Shpërndarja e materialeve fizike do të fillojë më 15 gusht, ndërsa materialet online do të vihen në dispozicion menjëherë.
Për të siguruar që të gjithë të jenë të pajisur me materialet e nevojshme para fillimit të vitit të ri shkollor, ju ftojmë të na kontaktoni me kohë.

E-mail:
[email protected]

Me konsideratë,
Shtëpia Botuese Albas

20/06/2026

"DUKAGJINI" SJELL TEKSTE SHKOLLORE ME METODA INOVATIVE

🔴Të nderuar mësimdhënës e mësimdhënëse,
Me përkushtim ndaj arsimit cilësor, ju sjellim tekstet shkollore të shtëpisë botuese "Dukagjini" për klasat 1-9 të aprovuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe të hartuara sipas metodave më inovative nga ekspertët më të njohur të arsimit në vend.

✅Të gjitha këto tekste karakterizohen nga përmbajtja e përshtatur me moshën dhe zhvillimin e nxënësve, ilustrime tërheqëse, ushtrime dhe aktivitete që nxisin të menduarit dhe kreativitetin, shtyp i cilësisë më të lartë, si dhe ndërlidhja me jetën e përditshme.

✅Për secilën lëndë, tekstet shoqërohen me librin bazë, fletoren e punës, librin e mësuesit dhe audio materiale për lëndët përkatëse. Po ashtu, çdo lëndë vjen e pajisur me pakon e planeve mësimore, me plane ditore, javore, mujore dhe vjetore.

✅Në dispozicion do të jetë edhe Ditari Personal i Mësimdhënësit, si mbështetje praktike për përcjelljen e progresit dhe vlerësimin sistematik të nxënësve.

✅Po ashtu, Pakoja e Vlerësimit, e rishikuar dhe e pasuruar me materiale të reja, përfshin teste, projekte, aktivitete ndërlëndore, eksperimente, diktime dhe ushtrime të ndryshme.

📌Për pajisjen me materialet fizike, përfshirë librat bazë, fletoret e punës, librat për mësuesin e Ditarin personal, do të njoftoheni para fillimit të vitit shkollor 2026—2027.

Shtëpia botuese “Dukagjini” - partner i mësimdhënësve në ndërtimin e një arsimi cilësor dhe të një të ardhmeje të suksesshme për çdo nxënës.

Photos from Mësuesit kosovarë's post 19/06/2026

PAKO TË REJA VLERËSIMI DHE MATERIALE MBËSHTETËSE
(Për secilin tekst të lejuar nga MASH-i)

Të nderuar/a mësimdhënës/e,

Duke e ditur se vitet e klasave 6, 7, 8 dhe 9 janë ndër periudhat më sfiduese dhe më vendimtare në formimin e nxënësve, ekipi ynë, në bashkëpunim me mësimdhënës/e nga e gjithë Kosova, ka përgatitur pako të reja vlerësimi dhe materiale mbështetëse për secilin tekst të lejuar me vendim të MASH-it.

Me synimin për t’jua lehtësuar punën e përditshme dhe për të sjellë më shumë qartësi, organizim e kreativitet në mësimdhënie, këto pako përfshijnë:
- librin bazë,
- fletore pune,
- libër për mësimdhënës,
- plane vjetore, mujore dhe ditore,
- modele testesh,
- projekte dhe aktivitete,
- ditar personal,
- si dhe vegëza me muzikë për lëndën e “Edukatës muzikore”.

Besojmë se mësimdhënia bëhet më e fuqishme, kur mësimdhënësi ndihet i mbështetur. Pikërisht për këtë, jemi përpjekur që çdo material të jetë praktik, orientues dhe sa më afër nevojave reale të klasës.

Të gjitha materialet i gjeni në vegëzën e mëposhtme. Për çdo paqartësi, kërkesë apo sqarim shtesë, ju mirëpresim të na shkruani në: [email protected]

Ju falënderojmë për përkushtimin, durimin dhe ndikimin që lini çdo ditë te nxënësit tuaj. Ju urojmë një vit të suksesshëm, me punë të mbarë dhe përzgjedhje sa më cilësore!

Me konsideratë,
Shtëpia Botuese ALBAS

Linku: https://drive.google.com/drive/folders/1Wi9DkNhD6LjKENfxJz79NJGYOdZRdgPz?usp=drive_link

Mësuesit kosovarë

23/05/2026

MENDIMI JUAJ KA RËNDËSI!

Shumë mësimdhënës tashmë janë pjesë e listave të subjekteve politike në zgjedhjet në Kosovë.

Si e vlerësoni këtë përfshirje: a është një përfaqësim i nevojshëm i zërit të arsimit në politikë, apo mendoni se mund të ndikojë në rolin dhe neutralitetin e mësimdhënësit?

Shprehni mendimin tuaj në komente!

23/05/2026

SI TË MBIJETOSH PA STRES NË MËSIMDHËNIE?

10 MËNYRA QË ÇDO MËSUES DUHET T’I DIJË:

1. VENDOS KUFIJ ME PUNËN

Respekto orarin tënd.
Puna ka fillim dhe fund.

2. PLANIFIKO DITËN

Një ditë e planifikuar,
më pak kaos, më pak stres.

3. BËJ PAUZA TË SHKURTRA

Edhe 5 minuta pushim
bëjnë diferencën.

4. LËVIZ MË SHUMË

Ecja, shtrirja ose pak
ushtrime ulin tensionin.

5. FLI MJAFTUESHËM

Gjumi i mirë rrit energjinë,
përqendrimin dhe durimin.

6. MERR FRYMË THELLË

Disa frymëmarrje të thella
ulin ankthin menjëherë.

7. FOL ME KOLEGËT

Biseda e sinqertë lehtëson
ngarkesën mendore.

8. RRI LARG EKRANIT

Truri ka nevojë për pushim
nga ekranet.

9. PI MË SHUMË UJË

Hidratimi i mirë përmirëson
përqendrimin dhe humorin.

10. HARRO PERFEKSIONIN

Bëj më të mirën tënde,
jo të pamundurën.

~~~~~

Mësues të fortë,
klasa më e mirë!

~~~~~

Ti bën diferencën çdo ditë.

Mësuesit kosovarë

23/05/2026

“Profesorë me diploma, por pa libra?” — Gëzim Aliu ndez debatin për krizën e leximit në arsim

Shkrimtari dhe hulumtuesi shkencor Gëzim Aliu ka ngritur alarmin për krizën e leximit në Kosovë, duke kritikuar ashpër mësimdhënësit, profesorët universitarë dhe studentët për mungesë interesi ndaj librit.

“Janë 23-24 mijë arsimtarë të shkollave fillore e të mesme. Ky vend do të duhej t’i kishte së paku 3-4 mijë lexues aktivë e të interesuar për libra. Por, fatkeqësisht, nuk i ka. Nuk e kuptoj si mund ta përfundojë dikush fakultetin, masterin apo doktoraturën dhe të mos lexojë së paku një libër në muaj, apo të mos blejë një libër në muaj. Me gishta të dorës mund t’i numërosh profesorët, studentët apo mësimdhënësit që vijnë të blejnë libra, shumica vetëm kur e kanë të domosdoshme”, deklaroi Aliu.

• A jeni dakord me deklaratat e Gëzim Aliut për nivelin e leximit te mësimdhënësit, profesorët dhe studentët në Kosovë?

Kujtojmë se Gëzim Aliu u vlerësua ditë më parë me çmimin prestigjioz “Jakov Xoxa” për letërsi për vitin 2026.

Burimi: Radio Kosova 2

Mësuesit kosovarë

02/05/2026

HUMBJE E RËNDË, NDAHET NGA JETA GJIMNAZISTJA ATIKA PIREVA

Personeli i Gjimnazit "Frang Bardhi" në Mitrovicë, është tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të nxënëses Atika Pireva, një humbje që ka prekur jo vetëm familjen, por edhe shokët, mësimdhënësit dhe qytetin e Mitrovicës.

Në një telegram ngushëllimi, shkolla shprehet:

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të nxënëses sonë të dashur, Atika Pireva. Humbja e saj është një plagë e rëndë për familjen, shoqërinë, mësimdhënësit, komunitetin e shkollës dhe gjithë qytetin e Mitrovicës".

Institucioni arsimor ua ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të gjithë atyre që e njohën, duke e përmbyllur mesazhin me fjalët:

“U prehtë në paqe! I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”

Kjo humbje rikujton brishtësinë e jetës dhe gjurmët që lë një nxënëse.






Mësuesit kosovarë

01/05/2026

NJIHUNI ME PROFESORIN QË FORMON EKONOMISTËT E SË ARDHMES

Profil: Prof. Dr. Sami Surdulli, pedagog dhe studiues në shërbim të dijes ekonomike

Prof. Dr. Sami Surdulli është një profesionist me përvojë të gjatë në fushën e ekonomisë dhe në atë të arsimit profesional në Kosovë.

I lindur më 05.02.1966 në Samadrexhë të Vushtrrisë, ai shquhet si një figurë e dalluar që bashkon ekspertizën akademike me ndikim të drejtpërdrejtë në arsim dhe në zhvillim ekonomik.

Formimi i tij universitar është i ndërtuar mbi studime të plota në Fakultetin e Ekonomisë në Prishtinë. Aty përfundoi studimet themelore në drejtimin e zhvillimit ekonomik (1995), si dhe studimet pasdiplomike në fushën e menaxhmentit dhe informatikës (2011), duke fituar kështu titullin Magjistër i Shkencave Ekonomike. Kulmi i përgatitjes akademike u arrit me doktoraturën në Shkencat Ekonomike në drejtimin International Economics, Finance and Banking (Shkup, 2019), në kuadër të University for Peace të themeluar nga Kombet e Bashkuara dhe ECPD – European Center for Peace and Development.

Kontributi i tij shkencor përfshin bashkautorësi në punime kërkimore me relevancë ndërkombëtare. Studimi “The Impact of Exchange Rate Volatility and Production Capacity Index on Types of Foreign Direct Investment: Evidence from Selected Emerging Economies” është publikuar në revistën Eastern European Economics (korrik 2025), ndërsa varianti në gjuhën shqipe është botuar në platformën e Ekonomisë së Evropës Lindore. Ky studim tregon për angazhimin e tij në hulumtime bashkëkohore mbi investimet e huaja dhe ekonomitë në zhvillim.

Në aspektin profesional, Prof. Dr. Surdulli ka ushtruar funksione menaxheriale dhe këshilluese në sektorin publik dhe privat. Ai ka shërbyer si menaxher marketingu në Hekurudhat e Kosovës (2001—2004), më pas ka themeluar dhe zhvilluar biznesin individual në fushën e marketingut dhe konsulencës për biznese (nga viti 2013). Nga viti 2018 deri më 2024, ka vepruar si menaxher dhe konsulent financiar në kompaninë “7 vëllezërit”.

Që nga viti 2004 vazhdon të punojë si profesor i lëndëve ekonomike në shkollën e mesme profesionale “Bahri Haxha” në Vushtrri. Në këtë institucion, tashmë të njohur dhe të vlerësuar ndërkombëtarisht, ka edukuar dhe formuar breza të rinj në fushën e ekonomisë dhe menaxhimit.

Aftësitë gjuhësore dhe kompetencat digjitale e zgjerojnë më tej profilin e tij, duke e bërë të aftë të operojë në një kontekst ndërkombëtar dhe të përshtatet me kërkesat e një ekonomie gjithnjë e më të globalizuar. Ky shumëdimensionalitet është funksional dhe i domosdoshëm për një pedagog që synon relevancë në mësimdhënie e në shkencë.

Prania e profesor Surdullit në platformën “Mësuesit kosovarë” dëshmon se cilësia në arsim buron nga thellësia intelektuale, përvoja e verifikuar dhe përkushtimi i palëkundur ndaj formimit të brezave të aftë për ta ndërtuar të ardhmen ekonomike të vendit.

Mësuesit kosovarë

20/04/2026

MËSUESE E SHQUAR

Profil: Vjollca Delijaj Hasani

Me një përvojë mbi dy dekada në arsimin parauniversitar, Vjollca Delijaj Hasani paraqet një figurë të dëshmuar të mësimdhënies në Kosovë, e ndërtuar mbi përkushtim afatgjatë, zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe ndikim të matshëm në praktikën arsimore.

Rruga e saj profesionale nis në edukimin parashkollor, për të vijuar më pas si mësimdhënëse e ciklit fillor, ku prej vitit 2007 vazhdon të kontribuojë në formimin akademik dhe qytetar të nxënësve në Shkollën e Mesme të Ulët “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Ka menaxhuar procese të plota të mësimdhënies, përfshirë planifikimin, realizimin dhe vlerësimin e mësimit sipas standardeve të reja të kurrikulës së Kosovës. Praktika e saj karakterizohet nga përdorimi i metodologjive bashkëkohore, ndërtimi i marrëdhënieve funksionale me nxënësit dhe prindërit, si dhe përfshirja aktive e nxënësve në aktivitete kulturore, artistike dhe jashtëkurrikulare. Mësuesja ka luajtur rol të rëndësishëm në identifikimin dhe adresimin e vështirësive në të nxënë, duke promovuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe të barabartë për të gjithë.

Ka qenë e angazhuar në zhvillimin e sistemit arsimor në nivel më të gjerë. Si pjesë e proceseve për hartimin e kurrikulës dhe të rezultateve mësimore në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ajo ka kontribuuar në avancimin e praktikave të vlerësimit dhe të planifikimit arsimor.

Bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe organizata të ndryshme ka qenë i vazhdueshëm.

Formimi i saj akademik në Fakultetin e Edukimit, i kombinuar me një numër të madh trajnimesh profesionale, e vendos atë në një profil të mësimdhënëses që nuk ndalet së zhvilluari. Ka përfunduar dhe është certifikuar në një gamë të gjerë programesh profesionale, ndër të cilat:

– Edukimi inkluziv dhe gjithëpërfshirja (IREDS);
– Forcimi i kapaciteteve të dialogut social;
– Udhëheqja dhe planifikimi strategjik në arsimin parauniversitar;
– Mësimdhënia e gjuhës dhe letërsisë shqipe për ciklin fillor dhe të mesëm;
– Edukimi medial dhe roli i tij në zhvillimin shoqëror dhe demokratik;
– Udhëheqja dhe menaxhimi në arsim;
– Strategjitë e leximit të kuptimit (trajnere – GIZ Kosovo, ETEA);
– Të nxënit përmes përvojës (OJQ "TOKA", Fakulteti i Edukimit);
– Bashkë për gjithëpërfshirjen, program rajonal Kosovë, Shqipëri, Maqedoni (Eduard Institute, CRCA)
– Edukimi seksual (MASHT) etj.

Përvoja e saj përfshin edhe role zhvillimore dhe mentorimi:

– Mësimdhënëse e Vitit në nivel komune (DKA Prishtinë, 2020—2021);
– Redaktore për dy vjet radhazi në projekte të "e-Mësimit";
– Trajnere në programin “Shkolla e Nënave” (Fondacioni "Jahjaga");
– Mentore e metodologjive të të nxënit përmes përvojës (2023).

Angazhimi i saj në zhvillimin profesional shtrihet edhe në pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare mbi shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve, si dhe në trajnimet e qindra pjesëmarrësve:

– Trajnimi i 354 mësimdhënësve në strategjitë e leximit të kuptimit;
– Trajnimi i 227 prindërve në orientimin në karrierë.

Kompetencat e saj profesionale mbulojnë fusha, si: edukimi inkluziv, shkolla gjithëpërfshirëse, fëmijët me nevoja të veçanta, plani individual i arsimit, udhëheqja arsimore, të drejtat e personelit arsimor, edukimi medial, kreativiteti në gjuhën shqipe, si dhe të drejtat e fëmijëve dhe zbatimi i tyre në praktikë.

Bashkëpunimi i saj përfshin institucione dhe organizata, si: MASHT-i, IREDS-i, GIZ-i, SBASHK-u, ETEA dhe DKA-ja.

Ajo zotëron gjithashtu certifikim në aftësi digjitale (MC Word 2013 – ECDL Kosova, AUK Training and Development Institute, EU IT Pilot Project in Education), duke mbështetur integrimin e teknologjisë në mësimdhënie. Punon me bazat e informatikës, Windows, Word, Excel, Access, PowerPoint dhe komunikimin digjital.

Zotëron anglishten dhe serbo-kroatishten.

Shquhet për aftësi të forta analitike dhe komunikuese, për punë ekipore dhe multidisiplinare, për organizim të aktiviteteve mësimore në natyrë dhe në komunitet, si dhe për bashkëpunim efektiv me nxënës, prindër dhe kolegë.

Pjesëmarrja në programe të rëndësishme ndërkombëtare tregon një angazhim drejt standardeve evropiane dhe ndërkombëtare të arsimit. Certifikimet në fusha si vlerësimi i nxënësve, zhvillimi i leximit, edukimi gjithëpërfshirës dhe lidershipi në arsim e pozicionojnë atë si një profesioniste me kompetenca të thella dhe të shumanshme.

Roli i saj si mësimdhënëse mentore dhe trajnuese shton një ndikim tjetër. Ajo nuk zhvillon vetëm nxënës, por edhe mësimdhënës të rinj.

Angazhimi në projekte kërkimore dhe zhvillimore, si dhe pjesëmarrja në konferenca ndërkombëtare mbi mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve, e lidh praktikën e saj me diskursin më të gjerë profesional.

Viti 2024 shënon një fazë të re në aktivitetin e saj, me përfshirjen aktive në platformën evropiane "e–Twinning". Ka realizuar projekte bashkëpunuese ndërkombëtare të vlerësuara me Etiketën Evropiane të Cilësisë dhe të nderuara me çmim kombëtar. Si ambasadore në "e–Twinning Kosovo", është e angazhuar në fuqizimin e komunitetit profesional dhe në promovimin e bashkëpunimeve ndërkufitare. Aktualisht është pjesë e projekteve “KRIJO”, “Nga lexues në qytetarë aktivë” dhe “Find My Code”.

Përzgjedhja për të marrë pjesë në punëtorinë ndërkombëtare të ambasadorëve në Lituani përforcon më tej rolin e saj në rrjetin evropian dhe konfirmon vlerësimin e kontributit të saj në nivel ndërkombëtar.

Mësuese Vjollca përfaqëson një model të mësimdhënëses që kërkon vazhdimisht t'i shtyjë kufijtë e praktikës arsimore. Ky angazhim ndahet edhe në platformën “Mësuesit kosovarë”.



© Mësuesit kosovarë. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

19/04/2026

MËSUESE E SHQUAR

Profil: Vjosa Imeri Baqaj

E lindur më 22 gusht 1983 në Magurë të Lipjanit, Vjosa Imeri Baqaj ka ndjekur një rrugë të qartë profesionale që në fillim: arsimin. Shkollimin fillor e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmin në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, në drejtimin matematikor-natyror, një bazë që reflekton disiplinë dhe strukturë në të menduar.

Studimet universitare i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Mësuesisë (mësim klasor), ku aty u angazhua edhe në punë kërkimore në metodologji shkencore. Më tej, avancoi me një program tjetër në Fakultetin e Edukimit dhe përfundoi studimet Master në Fakultetin e Filozofisë, në Departamentin e Pedagogjisë, me fokus punën pedagogjike me nxënës me vështirësi në komunikim.

Ajo filloi punën në vitin 2003 në SHFMU “Jeronim de Rada” në Magurë, duke punuar në klasë të bashkëngjitur me nxënës me nevoja të veçanta. Kjo është një nga fushat më të vështira të arsimit, sepse rezultatet nuk janë të shpejta dhe shpesh nuk maten me nota, por me progres njerëzor. Qëndroi në këtë rol deri në vitin 2009, duke ndërtuar përvojë të thellë në edukimin inkluziv.

Në të njëjtën periudhë dhe më pas, ajo nuk u kufizua vetëm në mësimdhënie. Ka qenë e angazhuar si trajnere në kuadër të projekteve të MASHT-it dhe të organizatave partnere si FSEDEK-u. Ka punuar edhe si mësuese kryesore në shkollën “Zenit” në Prishtinë për mbi pesë vjet, një rol që kërkon jo vetëm aftësi pedagogjike, por edhe menaxhim, udhëheqje dhe përgjegjësi institucionale.

Nga viti 2015 deri në vitin 2020, ka vazhduar si mësimdhënëse në SHFMU “Zenel Hajdini”, ndërsa nga viti 2020 e tutje ushtron profesionin në SHFMU “Pavarësia” në Prishtinë, një vazhdimësi që tregon qëndrueshmëri dhe përkushtim afatgjatë në sistemin publik arsimor.

Paralelisht me punën, ajo ka investuar vazhdimisht në zhvillimin profesional.

Lista e trajnimeve:

• Trajnime të avancuara në arsimin inkluziv dhe zhvillimin profesional (MASHT & FSEDEK), ku është certifikuar si eksperte për edukimin e personave me nevoja të veçanta.

• Trajnime në identifikimin dhe trajtimin e fëmijëve me trauma dhe vështirësi psikologjike (Qendra për përparimin e edukimit, QPEA, OMEGA).

• Programet ndërkombëtare si “Summer Institute – Promoting Health in School” dhe “Supporting Individualized Learning”, që e lidhin përvojën lokale me standarde më të gjera.

• Trajnime specifike për çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përfshirjen efektive në arsim.

Përvoja e saj flet hapur për hendekun mes teorisë dhe praktikës, për donacionet që nuk përkthehen në përmirësim real dhe për mungesën e mbështetjes për nxënësit që kanë më shumë nevojë.

Motivimi i saj lidhet ngushtë me figurën e babait, gjithashtu mësues, i cili ka ndikuar drejtpërdrejt në formimin e saj profesional dhe etik. Ndryshe nga shumë rrëfime emocionale që mbesin në nivel nostalgjie, ajo e ka kthyer këtë ndikim në veprim konkret: punë me nxënës nga shtresa të ndryshme, përfshirë ata që shpesh lihen jashtë vëmendjes.

Rezultatet e saj, përfshijnë:
– integrimin e nxënësve me nevoja të veçanta në klasa të rregullta;
– zhvillimin e aftësive sociale dhe akademike te nxënësit me vështirësi;
– kontribut në ngritjen profesionale të kolegëve përmes trajnimeve;
– përvojë të drejtpërdrejtë në menaxhim klase dhe udhëheqje arsimore etj.

Pas gjithë këtij angazhimi, ajo përballet me një realitet ku sistemi nuk e ndjek ritmin e individit. Ajo thotë se përkushtimi individual nuk mjafton kur struktura nuk funksionon.

Platforma “Mësuesit kosovarë” ka vlerë vetëm nëse paraqet profile të tilla pa filtra artificialë. Arsimi kosovar nuk ka nevojë për histori perfekte, por për histori të sakta, të forta dhe të dobishme.



© Mësuesit kosovarë. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Want your school to be the top-listed School/college in Pristina?

Click here to claim your Sponsored Listing.

Location

Category

Website

Address


"Agim Ramadani"
Pristina

Opening Hours

Monday 09:00 - 17:00
Tuesday 09:00 - 17:00
Wednesday 09:00 - 17:00
Thursday 09:00 - 17:00
Friday 09:00 - 17:00
Saturday 09:00 - 17:00
Sunday 09:00 - 17:00